Ligji Nr. 58/2022 – ‘’Një mundësi e re fiskale dhe zhvillimore për bizneset inovative në Shqipëri’’
Në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të digjitalizuar, shteti shqiptar po mbështet zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë inovacioni, si teknologjia e informacionit, zhvillimi i softwerëve dhe kërkimi shkencor (R&D). Me Ligjin nr. 58/2022 “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, janë vendosur një sërë lehtësish fiskale për subjektet që ushtrojnë veprimtari në këto fusha, duke i renditur ndër përfituesit kryesorë të politikave të reja tatimore, cili synon të krijojë një mjedis të favorshëm për inovacion, kërkim-zhvillim dhe investime me vlerë të shtuar të lartë.
Ky ligj vendos një bazë të qartë ligjore dhe fiskale për ngritjen e parqeve teknologjike dhe shkencore, duke ofruar lehtësira të ndjeshme tatimore dhe rregullatore për subjektet që veprojnë brenda këtyre strukturave.
- Qëllimi dhe rëndësia e ligjit
Qëllimi i ligjit është të nxisë:
• zhvillimin e industrive të teknologjisë së lartë dhe të inovacionit;
• kërkimin shkencor dhe zhvillimin e produkteve apo shërbimeve të reja;
• krijimin e vendeve të punës për profesionistë të kualifikuar në fusha teknike dhe shkencore.
Në thelb, parqet teknologjike dhe shkencore përfaqësojnë mjedise të integruara bashkëpunimi ndërmjet bizneseve, universiteteve dhe institucioneve kërkimore, ku zhvillohen produkte dhe shërbime inovative me ndikim ekonomik të qëndrueshëm.
- Lehtësitë fiskale dhe rregullatore për bizneset pjesëmarrëse
Ligji nr. 58/2022 parashikon një sërë përfitimesh për zhvilluesit dhe përdoruesit e parqeve teknologjike dhe shkencore, ndër të cilat spikasin:
1. Lehtësira fiskale
- Përjashtim nga tatimi mbi fitimin për 15 vite për të ardhurat që gjenerohen nga veprimtaritë brenda parkut.
- Përjashtim nga tatimet mbi pagat për personelin kërkimor dhe teknik për një periudhë 10-vjeçare.
- Përjashtim nga TVSH-ja për mallrat, pajisjet dhe shërbimet që shërbejnë për prodhimin e “produkteve inovative”.
- Përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga taksat mbi pasurinë e paluajtshme për 10 vjet.
- Rimbursim i pjesshëm i kostove të trajnimit të punonjësve shkencorë dhe teknikë, sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Lehtësira rregullatore
- Aplikimet për licenca dhe leje trajtohen nga institucionet publike brenda 15 ditëve pune, me parimin e “miratimit në heshtje” në rast mosreagimi.
- Infrastruktura e përgjithshme deri në kufijtë e parkut mund të ndërtohet nga shteti, duke reduktuar ndjeshëm kostot e biznesit.
- Mundësi për përdorim të monedhës së huaj në pagesat që lidhen me veprimtarinë brenda parkut.
3. Pronësia intelektuale
- Subjektet që zhvillojnë produkte ose zgjidhje inovative brenda parkut duhet të regjistrojnë pronësinë e tyre intelektuale në Shqipëri.
- Zhvilluesi i parkut mund të marrë pjesë në të ardhurat që gjenerohen nga pronësia intelektuale e krijimeve, për një periudhë deri në pesë vjet.
- Kush mund të përfitojë nga ky ligj
Ligji i ri u hap rrugën përfitimeve për një gamë të gjerë subjektesh, përfshirë:
- kompani të teknologjisë së informacionit, komunikimit dhe prodhimeve të avancuara;
- start-up-e inovative dhe qendra kërkimore;
- institucione të arsimit të lartë që bashkëpunojnë me sektorin privat;
- investitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë të zhvillojnë projekte kërkimore apo teknologjike në territorin shqiptar.
Roli i zyrës sonë
Si zyrë e specializuar në kontabilitet, konsulencë fiskale dhe ligjore, ne ofrojmë asistencë të plotë për:
- verifikimin nëse subjekti juaj përmbush kriteret për t’u përfshirë në një park teknologjik apo shkencor;
- përgatitjen e dokumentacionit ligjor dhe financiar për aplikim si “përdorues” ose “zhvillues”;
- zbatimin korrekt të lehtësirave fiskale dhe përfshirjen e tyre në pasqyrat financiare;
- optimizimin e strukturës tatimore për periudhën 15-vjeçare të përjashtimeve.
Ligji nr. 58/2022 përbën një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të ekonomisë së dijes në Shqipëri. Ai u jep bizneseve një mundësi të rrallë për të kombinuar inovacionin me përfitimet fiskale, duke e bërë mjedisin e investimeve më tërheqës dhe konkurrues.
Për të kuptuar në mënyrë të detajuar se si mund të përfitoni nga ky ligj, ju ftojmë të kontaktoni me fiscalthree, ku mund te merrni konsulencë të personalizuar në fushen fiskale dhe kontabel.

